
Buxheti i shtetit arkëtoi 35 mln euro nga tatimi i shitjes së pronave në janar-maj 2025
Të ardhurat nga tatimi nga shitja e pasurisë së paluajtshme u realizuan në shumën 3.5 miliardë lekë për periudhën 5-mujore të vitit 2025.
Të dhënat nga Ministria e Financave për periudhën 5-mujore të vitit 2025 tregojnë se të ardhurat nga tatimi nga shitja e pasurisë së paluajtshme u realizuan në shumën 3.5 miliardë lekë ose 26.3% më shumë se periudha e vitit të kaluar.
Në korrik të këtij viti një projektligj i hedhur në konsultim publik për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme parashikon se individët që zotërojnë pasuri të paluajtshme përfshirë edhe ato që janë në proces regjistrimi apo legalizimi mund të aplikojnë për rivlerësim nga 1 janari 2026 deri më 30 shtator 2026.
Procesi mund të kryhet nëpërmjet një eksperti të licencuar ose drejtpërdrejt në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Vlera e re e pronës duhet të jetë jo më e ulët se çmimet minimale fiskale në fuqi. Diferenca mes vlerës së tregut dhe vlerës së regjistruar më parë tatohet me normën 5%. Kjo vlerë e rivlerësuar do të shërbejë më pas edhe si bazë për llogaritjen e tatimit mbi fitimin në rastet e shitjes së pronës.
E njëjta e drejtë u jepet edhe personave juridikë, të cilët mund të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme deri më 30 shtator 2026. Diferenca midis vlerës kontabël të regjistruar dhe vlerës së tregut do të reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2026, ndërsa për këtë diferencë ata do të paguajnë po ashtu 5% tatim. Kjo diferencë, sipas ligjit, nuk do të jetë objekt amortizimi për qëllime tatimore.
Por projektligji ka hasur kundërshtimin e disa palëve të interesuara, si Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA).
Sipas NAREA-s, tatimi për banesat dhe strehimin nuk duhet të jetë më shumë se 3%, me apo pa fushata rivlerësimi. Ajo kërkon një ulje të qëndrueshme dhe jo të përkohshme të tatimit mbi fitimin nga shitja e pasurisë së paluajtshme, për të nxitur likuiditetin në treg dhe për të shmangur informalitetin.
Niveli i lartë i tatimit ka ngadalësuar transaksionet, ka tkurrur ofertën e banesave dhe ka penguar zhvillimin e një tregu të shëndetshëm. Krahasimet e bëra tregojnë se në vitet 2020–2022, kur tatimi mbi fitimin kapital ishte vetëm 3 %, buxheti i shtetit ka arkëtuar mesatarisht 44 milionë euro në vit, rreth 60 % më shumë se vitet kur norma është 15 %. “Një barrë fiskale kaq e rëndë jo vetëm që dëmton tregun, por edhe ul të ardhurat buxhetore dhe nxit informalitetin”, – thekson NAREA.
Gjithashtu, NAREA kërkon që procesi i rivlerësimit të mos kufizohet vetëm në banesa, por të përfshijë tokat bujqësore dhe urbane, njësitë tregtare dhe industriale, pronat në legalizim, si dhe kontratat e porosisë të regjistruara në ASHK.
Sipas të dhënave të vetë NAREA-s, aktualisht janë të paktën 850 mijë banesa që presin të futen në rivlerësim, ndërsa numri total i pasurive të të gjitha llojeve që mund të përfitonin nga një rivlerësim potencial me bazë të gjerë arrin mbi 3.5 milionë. /ekofin.al
Më të lexuarat








